Djurdjevic: Të arrijmë Europën nga kampionati

Vllaznia do të luajë nesër sfidën e javës së 29-të të Superligës ndaj Teutës në transfertë. Ndeshja do të luhet në “Niko Dovana” e do të nisë në orën 16:45, ndërsa shkodranët pas kalimit në finale të Kupës, do të tentojnë fitoren për të arritur Europën edhe nga kampionati. Sot në konferencën për mediat në krah të trajnerit Plori ishte dhe Fahrudin Djurdjevic. Sulmuesi foli për sfidën nesërme, por edhe për aspektin personal, ndërsa shpreson që t’i ketë ruajtur golat e tij për fazën e 4-të të kampionatit.

“Kur po gjuanim penalltitë mu kujtuan pak ndjesitë e ndeshjes ndaj Shiroki sepse ishte pak a shumë e njëjta atmosfera edhe në tribuna. Kupa ishte një objektiv i skuadrës që nga fillimi i sezonit dhe po flisnim me lojtarët pas ndeshjes që ky takim kishte një emocion të veçantë për ne”.

Teuta? “Kemi luajtur ndaj tyre 4 herë këtë sezon dhe i njohim shumë mirë. Do mundohemi të përdorim atmosferën e mirë që është në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes së Kupës për të kaluar këtë test dhe shpresoj të marrim 3 pikët”.

Momenti për gol? “Shpresoj pasi nuk është e lehtë për sulmuesi të flasin kur nuk shënojnë. Shpresoj t’i kem ruajtur golat për fazën e 4-të dhe golat e mi të jenë vendimtar e të ndihmojnë skuadrën”.

Europa nga kampionati? “Besoj se siç ishte Kupa objektiv edhe kampionati ishte objektiv për ne në fillim të sezonit, por me rrjedhjen e situatës, shpresoj që të arrijmë Europën nga kampionati me ndeshjet që kanë ngelur”.

Konkurrcë e madhe në sulm? “Çdo lojtar dëshiron të luajë, por sulmuesi matet me gola. Në këtë momente, Aralica është në formë më të mirë se unë, por nuk ka vend vetëm për një lojtar në sulm. Mendoj se në ndeshjen e Kupës, unë dhe Aralica kemi treguar se luajmë shumë mirë së bashku dhe e shikoj këtë si një mundësi”, u shpreh Fahrudin Djurdjevic.  

Shpërndaje