Gurishta: Craiova është favorit vetëm në letër

Përkrah trajnerit Josa, në konferencën e sotme për shtyp ka qenë i pranishëm edhe kapiteni Erdenis Gurishta. Ndër të tjera ai është shprehur se vërtetë kundërshtari ka më shumë emër e histori, por në fushë do të jetë tjetër histori.

“Sigurisht është ndjesi e bukur të marrësh pjesë dy vite rresht në kupat e Europës, të fitosh dy vite rresht Kupën e Shqipërisë. Vjet ishte një ndjesi ndoshta më e bukur pasi pamë mrekullinë, duke humbur ndeshjen e parë 3-1 dhe pastaj e kthyem rezultatin 3-0. Gjithë Shkodra ishte në festë, gjithë Shkodra ishte entuziaste. Kishim mundësi edhe në turin e dytë, por u eliminuam. Gjithsesi objektivi ynë vitin e kaluar ishte kalimi i turit të parë, ia arritëm qëllimit. Ndërsa këtë vit kemi shansin të luajmë direkt në turin e dytë dhe normalisht objektivi ynë është të japim maksimumin dhe ta mendojmë edhe kualifikimin.”

“Të them të vërtetën ajo është favorite në letër, favorit në statistika, në buxhet, por në futboll nuk luan buxheti apo paga e lartë  e futbollistëve. Shpesh herë në futboll fiton ai që jep maksimumin, që jep shpirtin në fushë dhe jo vlera e lartë e skuadrës.”

“Duke pasur parasysh që kishte disa ndryshime, që u larguan disa lojtarë cilësorë, besoj se janë afruar lojtarët e duhur, kemi zhvilluar një fazë përgatitre shumë të mirë dhe mendoj se janë ambientuar shumë shpejt me skuadrën dhe besoj se nuk ka asnjë problem te kjo pjesë.

“Duke pasur parasysh se kundërshtari ka cilësi të lartë në fazën sulmuese, normalisht që mbrojtja duhet të jetë më e kujdesshme, më e përgjegjshme, por unë mendoj që më shumë duhet të merremi me pjesën e lojës sonë dhe jo me cilësitë e kundërshtarit. Nëse rrimë e mendojmë vetëm cilësitë e kundërshtarit atëherë do të jetë një minus për ne.”

“Jo domosdoshmërisht duhet të shënosh gol që ta kalosh turin, por gjithsesi ne do të luajmë për fitoren, jemi në fushën tonë, në shtëpinë tonë, jemi përpara tifozëve tonë dhe do të japin gjithçka që ta fitojmë ndeshjen në Shkodër.”

Shpërndaje