Historia e futbollit shkodran

Në Shkodër ka nisë të luhet më herët sesa të formohej shoqnia “Vllaznia”. Qysh më 1905, atëherë kur të rinj të lagjeve të ndryshme të qytetit, luanin me topa lecke, ose me topa që ishin të formuar nga mshikëza uji të lopëve apo kafshëve të tjera të mëdha. Pikërisht në këtë vit, na lagjen “Arra e Madhe” u ngrit skuadra “Leka I Madh”. Kjo lojë në fillim nuk quhej futboll por “top e kambë”. Pas dy vitesh, në Shkodër do vinte në prift maltez. Quhej At Gutt Ruter. Ishte pikërisht ky njeri që solli topin e parë të futbollit në qytetin tonë

Në vitin 1913 do të organizohej në Shkodër një ndeshje futbolli. Ajo ka hyrë në histori edhe si ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare e futbollit në mes skuadrës vendase “Indipendenca” dhe një formacioni austro- hungarez që përbëhej nga pjesëtare të ushtrive të këtyre vendeve që atë kohë kishin pushtuar qytetin. “Indipendenca” ishte formuar nga bashkimi I sportistëve më të mirë nga të gjithë ekipet që mbizotëronin atë periudhë në Shkodër. Për herë të parë ky takim zhvillohet sipas rregullores së kohës për 90 minuta, të ndarë me nga dy pjesë nga 45’. Skuadra “Indipendenca” përbëhej nga 11 lojtarë, kapiteni I të cilëve ishte Palok Nika. Disa nga futbollistët e tjerë të asaj skuadre ishin dhe Kolë Hila, Kolë Prekalori, Kolë Gjoni, Gjon Pashkja, Kolë Kaçinari, Pashko Fishta, Luigj Halepjani, Gac Ashta, Palok Kini etj. Këtij takimi iu ba një jehonë e madhe edhe në shtypin e huaj teksa u pasqyrua në gazeta të ndryshme të Europës. Futbolli do të vazhdohej të luhej në këtë mënyrë.

Shoqënia “Vllaznia” do të themelohej më 16 shkurt 1919 dhe vetëm pas krijimit të saj do të fillojnë të organizohen edhe takime me skuadra të qyteteve të tjera.

Në vitet 30’, Vllaznia do të merrte pjesë rregullisht në kampionatet kombëtare të futbollit, që nisin të organizohen në vend. Madje është ndër protagonistet kryesore në të shtatë kampionatet që zhvillohen teksa në shumë prej tyre renditet nënkampion por pa arritur dot të zinte asnjëherë vendin e parë për arsye nga më të ndryshmet. Megjithatë ato vite kanë treguar se futbolli shkodran do të ishte protagonist në çdo kampionat që do zhvillohej më pas. Në 7 kampionatet që janë zhvilluar para luftës, kanë spikatur emra të tillë futbollistësh si Muhamet Halili, Qazim Dervishi, Hil Staka, Paç Koliqi, Pjetër Gjoka, Kin Bushati, Myzafer Pipa, Ali Paçrami, Rexhep Krasniqì, Ibrahim Dizdari, Asim Golemi, Reshit Rusi, Feti Dizdari, Zef Hila etj.

Në vitet ’40, sërish skuadra shkodrane do të shfaqej pretendente dhe madje do ta niste mbarë. Që në kampionatin e parë të Pasluftës, më 1945, ajo do shpallej kampione e vendit, sukses që do ta përsëriste edhe një vit më voë. Emrat e atyre viteve janë të gjithë të bujshëm. Duke nisur nga Loro Boriçi, për të vazhduar me Dodë Tahirin, Muhamet Dibrën, Prek Gjeloshin, Beqir Osmanin, Muc Koxhjen, Ernest Halepjanin, Xhelal Jukën, Pal Mirashin, Zyhdi Barbullushin, Bimo Fakjen, Xhevdet Shaqirin, Met Vasinë, Latif Alibalin, Adem Smajlin, Pal Mirashin, Isuf çobën, Shaban Abdinë, Mustafa Nehanin etj

Por seria e këtyre rezultateve do ndërpritej këtu pasi në skenë do dilnin Partizani e Dinamo, dy skuadra që donin të fitonin me çdo kushte dhe me të gjitha mënyrat.

Vitet ’50 pastaj do të ishin vitet që do shënonin rezultatet më të dobëta të Vllaznisë. Ajo shpeshherë rrezikon të bjerë nga kategoria, madje në një rast edhe ndodh kështu, por ajo gjen forca për t’u ringritur sërish.

Në fakt është gjë jo e mirë që sportistë të tillë si Shefki Boshnjaku, Kol Gjoni, Qemal Cungu, Shuajp Keraj, Zyhdi Bakalli, Ali Tepelija, Lutfi Laçja, Ali Kullolli, Beqir Cungu, Buto Smaja, Daut Shkreli, Qamil Medja, Fejzi Rrjolli, Alush Bakalli, Esat Bushati, Zija Halluni, Shuajp Preza e ndonjë tjetër, e nisën dhe e mbyllën karrierën e tyre pa fituar një trofe. Përpjekjet kanë qenë të mëdha por ato vite nuk do ishin aspak të suksesshme për futbollin shkodran. Por nuk do ndodhte gjithnjë kështu. Pikërisht në vitin 1965 një brez I talentuar lojtarësh që po I vinte Shkodrës do t’I jepte asaj Kupën e Shqipërisë. Protagonistë të këtij suksesi ishin Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Hajrullah Lekaj, Osman Djepaxhia, Menduh Dedja, Selami Dani, Sabah Bizi, Halil Puka, Lekë Koçobashi, Mehdi Milla, Jonuz Teli, Bep Çefa, Zyhdi Basha, Xhevdet Basha, Esat Egerçi, Ramadan Komi e Pjetër Dushaj. Trajner në atë sukses nuk ishte një shkodran por një tiranas, pikërisht Skënder Jareci, një person që ka lënë mbresa në Shkodër për punën e tij shumë domethënëse gjatë asaj periudhe të shkurtër që ka punuar në qytetin tonë.

Ndërkohë në vitet ’70 do të kemi mbase periudhën më të ndritshme të futbollit shkodran. Ka qenë një dekadë e mbushur me suksese dhe trofe. Si asnjëherë tjetër. Në vitin 1972 Vllaznia do fitonte kupë e kampionat njëherazi, gjë që nuk e kishtebërë asnjëherë më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare. Por nuk e ka arritur më as vetë skuadra shkodrane deri më sot. Për të vazhduar me kampionatin sërish më 1973 dhe 1978 dhe pastaj kupën më 1979. Plot 5 trofe për Shkodrën dhe futbollin shkodran. Meritë kjo e padiskutueshme e një brezi të talentuar me emra të tillë si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Paulin Ndoja, Lekë Koçobashi, Hajrullah Lekaj, Esat Rakiqi, Halil Puka, Rauf Çanga, Millan Vaso, Ismet Hoxha, Suad Durraj, Seit çanga, çesk Ndoja, Zyhdi Basha, Viktor Plumbini të cilët më vonë do pasoheshin të tjerë si Lutfi Basha, Ahmet Meta, Fatmir Axhani, Fatmir Lugji, Genc Boshnjaku, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Ardian Arra, Selman Gruda etj. Mbi të gjitha meritën më të madhe në këtë periudhë suksesesh e ka ideatori I këtyre trofeve. Ai është trajneri Xhevdet Shaqiri, njeriu që duke e drejtuar këtë skuadër në pankinë, ka fituar më shumë se çdokush tjetër.

Në vitet ’80, do vazhdojnë sukseset por njëkohësisht edhe rivaliteti duket më I madh në futbollin shqiptar.

Do ketë sërish trofe, teksa merren dy kupa në vitet 1981 dhe 1987 si dhe titullin kampion më 1983. Të tjerë sportistë e trajnerë kanë dalë në skenë në këtë dhjetëvjeçar. Bëhet fjalë për emra që kanë kontribuar në shkrimin e historisë së këtij klubi tashmë 90 vjeçar. Janë edhe Gjergji Kushe, Hysen Dedja, Bep Pali, Fatbardh Jera, Nikolin Thana, Fatmir Paçrami, Roland Luçi, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Ardian Bushati, Fasli Fakja, Viktor Briza, Kujtim Shaba, Arvid Hoxha, Isak Pashaj, Ilir Kepaj, Agron Lika, Lulëzim Bërshemi, Arjan Laçja, Astrit Semaj, Fejzi Shkenza. Trajnerë në këto suksese janë Ramazan Rragami e Astrit Hafizi.

Në vitet ’90, Vllaznia do ta nisë mbarë. Merr titullin në vitin 1992  dhe protagonistë janë edhe emra të rinj kampionësh si Avenir Dani, çlirim Basha, Zamir Shpuza, Astrit Premçi, Alban Noga, Azis e Bujar Gruda, Ramiz Bisha, Edmir Bilali, Ilir Keçi, Gjergj Fishta, Altin Halili, Dritan Nako, Vladimir Gjuzi etj. Por më pas ndryshimet demokratike në vend, do të sillnin shumë ndryshime. Në skenë del ana financiare dhe kuqeblutë gjejnë një president që do ta çonte edhe më lart emrin e këtij klubi. Myftar Çela e shpall Vllazninë kampione në vitin 1998 e më pas edhe në vitin 2001. Kuptohet edhe me kontributin e madh të futbollistëve të tillë si Armir Grima, Vioresin Sinani, Edi Martini, Astrit Premçi, Alban Noga, Suad Lici, Luan Zmijani, Ilir Ymeri, Altin Xhahysa, Armando Cungu, Luan Jahja, Gjergj Shllaku, Alban Volumi, Ilir Dibra, Safet Osja, Edi Kraja, Ermal Dervishi, Brikeno Bizi, Kreshnik Osmani, Pjerin Martini, Arion Mustafa, Gaspër Ndoja, Oltion Osmani, Millosh Kërstaiç, Amarildo Belisha, Elvis Plori, Dorian Bylykbashi, Klodian Duro, Saimir Patushi, Albert Kaçi, Asim Gjokoviç e Elvin Beqiri. Trajnerët e këtyre dy sukseseve do ishin Hysen Dedja dhe malazezi Dervish Haxhiosmanoviç.

Një tjetër president, Valter Fushaj do t’I dhuronte pas plot 21 vjetësh Shkodrës Kupën e Shqipërisë. Ndodhi pikërisht sezonin 2007-08 teksa kuqeblutë triumfuan ndaj Tiranës në finalen e Elbasanit. Trajner është po ai, Haxhiosmanoviç ndërkohë që në fushë përveç emrave të njohur si Armir Grima, Vioresin Sinani, Suad Lici, Safet Osja, Uliks Kotrri, do ishin edhe emrat e tjerë të rinj si ato të Admir Telit, Sasha Delain, Albert Kaçi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika, Edmond Doçi, Ilir Nallbani Marenglen Kapaj, Erjon Hoti etj.

Në vitin 2011 u krijua shoqëria aksionere “Vllaznia” me kapital 100 për qind të Bashkisë Shkodër dhe për 10 vjet me rradhë ka qenë ky institucion që e ka drejtuar atë, duke kaluar në fakt momente të vështira, aq sa në sezonin 2017-2018 ka rënë sërish nga Kategoria Superiore.

Por ndërkohë, në vitin 2020, në skenë do të dilte sponsori Alban Xhaferi dhe që në sezonin e parë në krye të klubit arrin një sukses të shkëlqyer duke I dhënë Shkodrës një tjetër trofe, atë të Kupës së Shqipërisë pasi mundi 1-0 në finale ekipin e Skënderbeut. Protagonistë të këtij suksesi do jenë futbollistë si Bojan Zogoviç, Erdenis Gurishta, Mevlan Adili, Eni Imami, Aleksandar Isaevski, Ardit Krymi, Fjoart Jonuzi, Herald Marku, Victor Da Silva, Arsid Kruja, Haris Dilaver, Ardit Hoxhaj, Dajan Shehi, Milos Kalezic, Albion Avdijaj, Demir Imeri, Kristi Qarri, Elom Nyavedji, Arlind Kalaja, Salim Cisse  etj. Trajner I skuadrës ndërkohë do të ishte Thomas Brdariç. Po këtë sezon, Vllaznia e humbi titullin kampion vetëm për shkak golaverazhi duke u renditur në vendin e dytë pas Teutës.

Ndërkohë procesi i privatizimit propozuar nga Bashkia Shkodër dhe miratuar me vota unanime nga Këshilli Bashkiak  me vendimin nr. 54, dt. 27.11.2020 dhe mbas procesit te ankandit, pronaret e rinj te KF Vllaznia janë kompanite “Albaphoto” sh.p.k  90% dhe “Albasport & Entertainment” 10% , me aksioner z. ALBAN XHAFERI, që njëkohësisht nga shkurti I vitit 2022 emërohet si adminiatrator i KF Vllaznia.

Në këtë mënyrë, tani e tutje nis një epokë e re për ekipin e futbollit Vllaznia nën menaxhim privat.

Dhe sukseset erdhën menjëherë. Vllaznia edhe në sezonin 2021-2022 u shpall fituese e Kupës së Shqipërisë duke mundur 2-1 në finale ekipin e Laçit, në ndeshjen e luajtur në “Air Albania” më 31 maj 2022, falë golave të shënuar nga Ardit Hoxhaj dhe Mevlan Adili të cilët zhvlerësuan golin e shënuar më parë nga Guindo. Pjesë e këtij suksesi ishin edhe futbollistët e tjerë si Bojan Zogoviç. Erdenis Gurishta, Darko Bulatoviç, Esin Hakaj, Ardit Krymi, Fjoart Jonuzi, Victor Da Silva, Elvedin Heriç. Liridon Latifi, Ante Aralica, Mehdi Çoba, Arsid Kruja, Fahrudin Djurdjevic etj e po ashtu edhe i stafit teknik me në krye trajnerin Mirel Josa.