Josa: Kjo finale është një detyrim që kemi ndaj Vllaznisë

Në prag të sfidës së nesërme në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “AIR Albania” në orën 19:00, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, i cili ka analizuar këtë takim të rëndësishëm për shkodranët:

Finalja ndaj Laçit – “Nuk është një sfidë e shumëpritur, është një detyrim që kemi ne ndaj klubit. E konsideroj si detyrim edhe pse kam qenë pjesë e skuadrës kundërshtare që ne luajmë nesër. Situatat në futboll kështu janë. Siç na duhet ne kjo fitore, i duhet dhe Laçit kjo fitore.”

Objektivat – “Për klubin, për lojtarët dhe për stafin teknik është një trofe më tepër. Për mua nuk ka interes si trofe individual, për mua ka interes që të plotësohen objektivat që ka klubi, që për momentin jemi jashtë. Kemi punuar për këtë ndeshje, nuk kemi mbajtur rezerva për këtë sfidë finale të Kupës. Tani kemi të bëjmë me ndeshjen e fundit të sezonit. Është shumë e rëndësishme si për individët ashtu edhe për grupin, duke filluar që nga drejtuesit, financuesit, lojtarët dhe më pas ne si staf. Jo vetëm Laçin, por të gjitha skuadrat e tjera duhet t’i vlerësojmë.”

Vllaznia – “Unë nuk dua të analizoj se çfarë gabimesh ka bërë Vllaznia, mua më intereson që idetë e mia t’i bashkangjiten atyre të lojtarëve dhe të vazhdojmë punën që të kapim rezultat. Unë nuk mund ta përcaktoj një sezon të dobët të Vllaznisë, pavarësisht rezultateve. Në momentet e caktuara duhet të ketë qenë më e vëmendshme, sepse po të kishte pasur 2-3 pikë më shumë atëherë nuk do të flisnim për këtë gjë. Unë jam i fokusuar te Vllaznia dhe marr përgjegjësi për këto momente.”

Presioni – “Futbollistët duhet të kenë presion vetëm që të futen në fushë për ta fituar ndeshjen. Në futboll janë tre rezultate në lojë, tani janë dy rezultate për finalen ose e fiton ose e humb.”

Tifozeria – “E njoh mirë tifozerinë e Shkodrës, e njoh mirë dashurinë që kanë për futbollin. Nuk ka nevojë për thirrjet e mia që tifozeria të vijë në Tiranë, por e di interesimin e tyre për skuadrën edhe në periudha të tjera që unë kam punuar këtu.”, përfundoi Mirel Josa.

Shpërndaje