|

Josa: Mendjen vetëm tek Egnatia, na duhet fitorja

Shpërndaje

Në prag të sfidës së nesërme ndaj Egnatias, e cila do të zhvillohet në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për javën e parafundit të Kategorisë Superiore, në konferencën për shtyp ka folur trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, i cili ka analizuar këtë takim për shkodranët:

Njohuria për Vllazninë – “Njohuri kisha edhe më përpara për skuadrën, por kur i sheh lojtarët brenda ambjentit krijon bindje të tjera për to sepse të nxjerrësh konkluzione më përpara është gabim si për ne, si për pjesën tjetër.”

Ndryshimet – “Ndryshimet bëhen për mirë. Edhe nesër mendojmë ta kemi me disa ndryshime, jo në emra lojtarësh, por në mënyrën e lojës.”

Situata psikologjike – “Nuk e kam ndjekur shumë ndeshjen me Tiranën, por situata psikologjike pas çdo humbje nuk është e mirë. Me pësimin e golave të shpejtë lojtarët kanë pasur një goditje dhe ende nuk e kanë marrë veten. Në këto situata mblidhet shumë shpejt vetja brenda vetë lojtarëve, por edhe me ndihmën tonë si staf.”

Egnatia – “Egnatia, skuadër e vështirë. Duhen respektuar të gjitha ekipet, aq më tepër kur Vllaznia këtë sezon nuk ka fituar kundër Egnatias. Nga gjysma e dytë e kampionatit vijnë në konsolidim nga ndeshja në ndeshje dhe kanë zhvilluar sfida të mira, si ndaj Vllaznisë, por edhe me të tjerat që kanë luajtur sepse kanë cilësi. Egnatia nuk e ka siguruar mbijetesën. Një skuadër që do të luajë një finale ‘Play-Out’-i, ajo do të luajë më lirshëm.”

Llogaritë për Europën – “Llogaritë tona janë për të fituar ndeshjet, pastaj gjërat e tjera varen nga skuadrat e tjera. Ne duhet të bëjmë punën tonë për të fituar.”

Largimet nga skuadra? – “Janë thashetheme merkatoje që për momentin i bëjnë keq skuadrës. Unë nuk kam folur për merkaton, mua më interesojnë lojtarët që kam dhe më vonë çdo skuadër do të bëjë merkato kur t’i vijë koha.”

Ndeshja e radhës – “Nuk kam menduar shumë për finalen e Kupës, mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Parimi im kryesor është të shoh ndeshjen e radhës, të shoh problemet e saj dhe duhet të fitojmë që të jemi sa më të qetë që të përgatisim tjetrën.”

Latifi dhe grupi – “Vllaznia nuk është Latifi, ne kemi mbi 20 lojtarë. Latifi ka cilësitë e tija si futbollist, unë e njoh që më përpara, por cilësitë e çdo futbollisti rriten në bazë të grupit që ka. Mua nuk më intereson individi, por Vllaznia ka nevojë për Latifin edhe për futbollistët e tjerë që të jenë në gjendjen më të mirë për të dhënë maksimumin e tyre.”

Rikthimi – “Rikthimi i tretë është më i thjeshtë dhe më kanë mbetur të gjithë njohjet e vjetra. Kam qenë shumë i kërkuar, sidomos nga shoqëria ime që e ruaj ende me të gjithë njerëzit që më kanë respektuar gjatë asaj periudhe.”

Tifozeria e Vllaznisë – “E respektoj tifozerinë shkodrane. Është tifozeria që njohin më mirë futbollin profesionalisht sesa të gjithë tifozeritë e tjera. Mendoj që unë së bashku me skuadrën t’ua bëjmë pasditen sa më të këndshme.”, përfundoi trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.

Similar Posts