Kapiteni Gurishta: Kupa mundësi për të korrigjuar gabimet e kampionatit

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta ka folur në konferencën për shtyp përpara finales së Kupës së Shqipërisë që skuadra e tij do të diskutojë përball Laçit në “Air Albania”. Gurishta ka theksuar rëndësinë e takimit ku i ka bërë thirrje skuadrës të tregojë vëmendje gjatë gjithë takimit për të arritur suksesin final dhe për të sjellë Kupën përsëri në Shkodër.

Përsëritja e suksesit në kupë?

Është e vërtetë që stadiumi “Air Albania” ka qenë fatsjellës për ne, por finalja e vitit të kaluar ishte një ndeshje tjetër dhe kjo një tjetër. Vitin e kaluar e kishim siguruar Europën nga kampionati normalisht ishim më të qetë, tani është një situatë tjetër. Fitimi i kësaj finale na mundëson hyrjen në Europë ose dështimin që është mbetja jashtë.

A është skuadra gati?

Patjetër, skuadra është e përgatitur është gati, pavarësisht si shkuan gjërat që ekipi mbeti jashtë Europës, skuadra është gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen e nesërme dhe me ndihmën e zotit shpresoj që kupa të shkojë përsëri në Shkodër për vitin e dytë rresht.

Mund të përsëritet suksesi ndaj Laçit si në kampionat?

Ajo e kampionatit ishte një ndeshje shume e mirë e jona sepse ti shënon 5 gola Laçit dhe në fushën e tyre nuk është e thjeshtë. Ishte një ditë e mirë e jona, por finalja është finale shanset janë 50-50, duhet të jemi të përqendruar, episodet mund ta vendosin fatin e takimit.

Mbrojtja?

Nuk është se do të marrim masa speciale për të ndaluar Guindon, Laçi nuk varet vetëm tek ai. Guindos i uroj suksese sepse ka fituar trofeun e golashënuesit, ne jemi të fokusuar sepse përball kemi Laçin dhe jo vetëm Guindon.

Lamtumira e Krymit…

Më vjen mirë për Arditin është një djalë fantastik një lojtar i mrekullueshëm. Më vjen mirë që ka siguruar një kontratë jashtë Shqipërisë, por vëmendja jonë është te ndeshja e nesërme, shpresoj ta fitojë Kupën dhe ai të largohet si kampion i Shqipërisë.

Presidenti?

Që nga fillimi presidenti ka qenë pranë skuadrës, por për arsye të ndryshme nuk jemi në Europë, kemi mundësi ta korrigjojmë nesër gabim e kampionatit dhe të sigurojmë Europën që do të ishte një plus i madh për presidentin, skuadrën dhe qytetin.

Mesazhi për tifozët?

Besoj se ata nuk kane nevojë për asnjë mesazh sepse ata e kane treguar që në ndeshje të rëndësishme kanë qenë në mbështetje të skuadrës dhe mesazhin e kanë dhënë ata. Shpresoj që nesër të jetë një tifozeri e flaktë dhe të kemi mundësi të festojmë së bashku me ta.

Do të jetë një natë festë nesër në Shkodër?

Nuk e di si do të jetë pas takimit, vëmendja jonë do të jetë të marrim Kupën dhe më pas të mendojmë për të festuar.

Shpërndaje