Plori: Nesër ndaj Partizanit do jetë krejt ndryshe nga Egnatia

Vllaznia do të luajë nesër ndaj Partizanit të parën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndeshje kjo që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 17.45. Në prag të kësaj ndeshje, trajneri Elvis Plori ka dalë në një konferencë për shtyp ku është shprehur:
“Kemi pritur për këtë mundësi, një sfidë me ta është gjithmonë e rëndësishme. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të fitojmë, është një kompeticion me dy takime. Kërkojmë të jemi në finale, ndeshja është e fortë sepse edhe Partizani këtë do.”
Kemi pasur disa mungesa nga sfida me Egnatian. Stafi mjekësor ka bërë më të mirën dhe sot do konkretizohet grupi i lojtarëve. Kupa është një tjetër lojë, ta harrojmë atë me Egnatian dhe humbjen. Lojtarët do jenë në tjetër marsh. Gurishta është i konfirmuar se mungon, me gjithë përpjekjet mjekesore.
Latifin e kemi lojtarin më të mirë të skuadrës edhe me statistika. Forma e tij dhe angazhimi janë një ndihmë e madhe për ne.”
“Çdo javë që kalon, tanimë kuptohet se intensiteti i ndeshjeve ka specifika. Të përqëndrohemi te ndeshja e radhës. Besoj se edhe lojtarët që kanë pasur problem, do jenë gati për në fundjavë me Kastriotin. Kemi një emër të madh përballë, edhe ne jemi Vllaznia dhe hyjmë në fushë për maksimumin. Jemi të fortë dhe duam të marrim maksimumin”, përfundoi Plori.

Shpërndaje