Trajneri Josa: Do bëjmë një lojë të kujdesshme ndaj Craiovas

Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Universitatea Craiova, ka dalë para gazetarëve trajneri Mirel Josa i cili është shprehur në këtë mënyrë për këtë sfidë shumë të rëndësishme:

“Jam i sigurt që Vllaznia është në gjendje optimale për këtë sfidë. Zhvillimi i ndeshjes për në turin e dytë të Ligës së Konferencës na ka bërë mirë sepse kemi pasur kohë më shumë për tu përgatitur. Kemi pasur pushimin e duhur, të gjithë duan pushimin e duhur për tu përgatitur për fazën përgatitore.”

Formacioni – “Nuk kam pasur shumë gjëra për të ndryshuar, sepse ekipi më është përgjigjur. Kemi pasur problemin e Latifit, të cilin do ta sjellim në gjendjen e duhur ngadalë. Lojtarët e dinë se cili do ta nisë nga fillimi dhe cili do të jetë i gatshëm.”

Universitatea Kraiova – “Universitatea Kraiova është një kundërshtar që është me histori në futbollin e Rumanisë. Unë e mbaj mend kur kam luajtur vetë kundër Dinamos së Bukureshtit, kanë qenë tre skuadrat e para së bashku me Steauan. Shoh një infrastrukturë shumë të mirë, ka një president që e njeh futbollin dhe kjo është anë pozitive për një skuadër. I kemi parë ndeshjet e kësaj skuadre, i kam ndjekur edhe lojtarët në mënyrë individuale dhe këtë për interesimin që kam pasur për kundërshtarin, por mua më intereson se çfarë duhet të bëjë skuadra ime. Kraiova ka luajtur vjet ndaj Laçit dhe ky fakt ne nuk na favorizon sepse do t’i marrim masat ndryshe.”

Anulimi i rregullit të golit në fushë kundërshtare – “Me rregullat e reja rregulli i fushës kundërshtare tani për ne është në favor duke qenë që luajmë në shtëpi ndeshjen e parë.”

Tifozët – “Tifozeria është një armë plus për çdo skuadër, me lojën tonë ne do të bëjmë këtë tifozeri që të na mbështesë edhe më shumë.”

Mënyra e lojës – “Vllaznia cinike dhe Vllazni sulmuese për mua janë dy gjëra që janë bashkë si mënyrë loje.”, përfundoi Mirel Josa.

Shpërndaje