Vllaznia humbet 1-3 në sfidën e rradhës ndaj Tiranës

Vllaznia ka bërë një hap të gabuar në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë që u luajt pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit ndaj Tiranës duke u mundur me rezultatin 1-3.

Takimi filloi keq për skuadrën tonë që pësoi gol në minutën e 8-të kur Seferi arriti të shmangte mbrojtësit kuqeblu dhe ta dërgonte topin në rrjetë. Vllaznia reagoi dhe arriti të barazonte me një autogol të Zhivanajt. Megjithatë nuk arriti ta mbajë për shumë minuta këtë barazim sepse Totre do të shënonte edhe golin e dytë për bardheblutë.

Pjesa e parë u mbyll në shifrat 2-1 për vendasit, ndërkohë që në fillimin e së dytës ka shënuar edhe Xhixha golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes, ndërkohë që Vllaznia krijoi disa raste shënimi, por pa arritur dot të konkretizojë dhe në këtë mënyrë është detyruar ta pranojë humbjen.

Pas javës së 34-të të kampionatit, ekipi ynë mbetet në kuotën e 49 pikëve por tashmë ka zbritur në vendin e pestë të renditjes, dy javë para fundit të kampionatit./vllaznia.al/

Shpërndaje