Vllaznia prezanton sponsorin gjeneral dhe uniformat zyrtare të sezonin 2022-23

“Hospital One” do të jetë sponsori gjeneral i KF Vllaznia për sezonin 2022-23. Prezantimi i tij para mediave është bërë pasditen e sotme në sallën e konferencave për shtyp të stadiumit “Loro Boriçi”. Ka qenë presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, ai që e ka prezantuar këtë sponsor teksa është shprehur:

“Kam kënaqësinë që sot të prezantoj sponsorin e ti të klubit tonë. E gjitha bëhet me qëllimin e mirë për optimizimin e të ardhurave të klubit, të infrastrukturës së klubit, të pjesës së marketingut, ne kemi bërë marrëveshje sponsorizimi me një kompani e cila do të hapë një spital në qytetin tonë. Emri i sponsorit të ri është “Hospital One”.

Ky spital mendoj se është një risi dhe një vlerë për Shkodrën dhe ne jemi shumë të lumtur që do ta kemi edhe në rolin e sponsorit gjeneral pranë klubit tonë dhe jam shumë i bindur që sëbashku do të arrijmë nivele shumë të mira te Vllaznia. Njëkohësisht shpresojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Sëbashku mendoj se do të bëjmë gjëra më të bukura për Vllazninë”.

Më pas, e ka marrë fjalën përfaqësuesi me qendër në Londër, z.Oliver Fripp i cili ka folur për marrëveshjen e sponsorizimit të firmosur me klubin shkodran. “Jemi krenarë që tashmë edhe në do jemi në njëfarë mënyrë pjesë e këtij klubi historik.

Ka qenë ideja e një drejtorit ekzekutiv të kompanisë tonë, Andi Pepaj, që është një tifoz i zjarrtë i skuadrës tuaj, ai që e propozoi këtë ide dhe tashmë jemi pranë jush duke e bërë realitet këtë marrëveshje”. Ndërkohë gjatë kësaj ceremonia, presidenti Xhaferi ka prezantuar edhe uniformat zyrtare të ekipit të Vllaznisë për sezonin 2022-23./vllaznia.al/

Shpërndaje