Vllaznia U17 barazim 3-3 ndaj Internacionalit

Shpërndaje

Vllaznia U17 ka zhvilluar takimin e rradhës ndaj Internacional Tiranës, takim i cili u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në fakt, pritej një fitore nga ana e kuqebluve, pasi rezultati i këtij takimi deri 10 minuta para fundit, ishte në favor të Vllaznisë, 3-2, por nuk ia arritën dot ta merrnin.
Pjesa e parë u mbyll 1-1 dhe golat në 45-minutat e para u shënuan nga Zaganjori për Vllazninë, ndërsa për Internacional Tirana nga Tresa, me anë të një penalltie. Ndërkohë, në startin e së dytës, do të ishin miqtë nga Tirana ata që do të shënonin golin e dytë, me anë të Hysës, por që nuk do të mbyllej me kaq, pasi shkodranët kërkuan me ngulm portën mike dhe ia arrijnë që të barazojnë rezultatin në 2-2, me golin e shënuar nga Dodaj në minutën e 59-të.
Në vazhdim, sfida mes Vllaznia U17 dhe Internacional Tirana ka qenë mjaft e fortë dhe mbeti e hapur deri në fund. Pjesa e lojës në vazhdim foli për Vllazninë, që arriti të shënojë edhe një gol tjetër, me anë të Kubazit.
Ndërkohë që, në minutat e fundit të ndeshjes, skuadra e Internacional Tirana reagoi mirë, duke barazuar shifrat. Miqtë arritën të shënonin sërish me një penallti dhe sërish me anë të Tresës, duke barazuar shifrat në 3-3.
Kështu, Vllaznia U17 nuk ia arrin të fitojë dhe të shkurtojë diferencën me kreun e renditjes, duke mos shkuar më shumë se një barazim 3-3. Gjithsesi, pas këtij barazimi kuqeblutë e U17, të drejtuar nga Edmond Doçi, mbeten në vendin e tretë me 20 pikë.

Similar Posts