Vllaznia U17 pas titullit kampion, fiton edhe Kupën e Shqipërisë

Pas titullit kampion të fituar pesë ditë më parë, Vllaznia U17 bën të vetin edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë duke i bërë kështu një mbyllje të shkëlqyer sezonit 2021-2022 me të dy trofetë më të rëndësishëm të tij të fituar.

Në ndeshjen finale të Kupës, e cila është luajtur pasditen e sotme në kompleksin sportiv “Internacional” në Pezë- Helmes, përballë ekipit tonë ka qenë “Durrësi 04”. Takimi ka qenë i fortë dhe i shoqëruar me rivalitet.

Pavarësisht rasteve të krijuara, kuqeblutë nuk ia dolën të shënojnë të parët, madje janë ndëshkuar në minutën e 81-të nga goli i Lleshit, por në minutën e parë të shtesës, kanë fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nga sulmuesi Kevin Dodaj.

Takimi ka përfunduar në këtë mënyrë në barazim 1-1 dhe sipas rregullores, për të përcaktuar fituesin, u desh gjuajtja e 11-metërshave. Nga pika e bardhë, të pesë lojtarët e Vllaznisë që i kanë ekzekutuar ato janë treguar të saktë dhe konkretisht Selmani, Shimaj, Kubazi, Halili dhe në fund Dodaj duke i dhënë kësisoj fitoren 5-3 skuadrës së tyre që fiton në këtë mënyrë edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Vllaznia U17 e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Jukaj, Marashi, Rroku, Selmani, Ara, Sylia, Shimaj, Zaganjori, Dodaj, Fangaj, Hajdari. Në pjesën e dytë ndërkohë janë aktivizuar edhe Çelepija, Qokthi, Kubazi dhe Halili./vllaznia.al/

Shpërndaje