Mjafton goli i Hakajt, Vllaznia fiton 1-0 në Kukës

Vllaznia ka marrë një fitore me shumë vlerë pasditen e sotme ndaj Kukësit në ndeshjen e luajtur në fushën e këtij të fundit. Kuqeblutë kanë triumfuar me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të shënuar nga mbrojtësi Esin Hakaj në minutën e 43-të të ndeshjes.

Duhet thënë se pavarësisht faktit se u shënua vetëm një gol, ekipi ka zhvilluar një ndeshje të mirë dhe ka patur edhe shumë raste të tjera shënimi por që nuk janë konkretizuar falë formës së mirë të portierit kundërshtar, apo dhe mungesës së fatit në raste të caktuara.

Megjithatë e rëndësishme është që skuadra mori një trepikësh me shumë vlerë dhe pas javës së 11-të të kampionatit, ka arritur të grumbullojë 18 pikë duke u pozicionuar për momentin në vendin e tretë të renditjes.

Vllaznia ndaj Kukësit luajti me këtë formacion: Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Boshnjaku, Jonuzi, Alivoda, Marku (Kruja), Mala (Heriç), Aralica (A.Hoxhaj). Tr: Mirel Josa/vllaznia.al/

Shpërndaje