Tjetër fitore e Vllaznisë së femrave. Mund 5-0 Teutën

Vllaznia në futboll për femra ka arritur një tjetër sukses dhe pasditen e sotme ka marrë fitoren e rradhës duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Teutës në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në pjesën e parë janë shënuar tre gola, dy prej të cilëve mbajnë firmën e të zakonshmes Megi Doçi ndërsa një tjetër është shënuar nga futbollistja Luçije Gjini.


Në të dytën ndërkohë janë shënuar edhe dy gola të tjerë dhe sërish nga Megi Doçi e cila plotëson në këtë mënyrë “pokerin” e saj edhe në këtë ndeshje. Në këtë mënyrë përfundimisht 5-0 për Vllazninë. Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 46 pikëve dhe vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje dhe është e shkëputur 5 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë.

Deri në mbyllje të kampionatit, kanë mbetur për t’u luajtur edhe tre javë dhe Vllaznia është shumë pranë zyrtarizimit drejt titullit të 9-të kampion rradhazi.

Shpërndaje