Vllaznia rikthehet tek fitorja. Mund 3-1 Egnatian

Vllaznia rikthehet tek fitorja në kampionat dhe për më tepër, trajneri Josa debuton me “këmbë të mbarë” në pankinën kuqeblu. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Egnatias, skuadra shkodrane ka fituar me rezultatin 3-1.

Para fillimit të ndeshjes është zhvilluar ndërkohë një ceremoni e thjeshtë e lënies së futbollit për ish- futbollistin e Vllaznisë Ndriçim Shtubina. Me këtë rast, presidenti Alban Xhaferi i ka dhuruar atij fanellën me numrin 10 që ka mbajtur të veshur për vite me rradhë.

Sa i takon përballjes në fushë, gjithçka është bërë më e lehtë që në pjesën e parë kur Aralica fillimisht dhe më pas Latifi, kanë shënuar dy gola njëri pas tjetrit dhe në këtë mënyrë ky 45 minutësh u mbyll në shifrat 2-0 për skuadrën tonë.

Në të dytën ka qenë Jackson që ka shkurtur shifrat për miqtë, ndërkohë që për të mbyllur ndeshjen do të mendonte Da Silva i cili do të shënonte edhe golin e tretë duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej 3-1 për kuqeblutë.

Pas javës së parafundit të kampionatit, Vllaznia ndodhet në kuotën e 52 pikëve dhe mban për momentin vendin e pestë në renditje. Ndeshjen e fundit, ajo do ta luajë ditën e enjte në Kamëz ndaj Kastriotit ku padyshim që do të synojë ta mbyllë me fitore./vllaznia.al/

Shpërndaje