Vllaznia prezanton trajnerin Mirel Josa

Vllaznia ka prezantuar mesditën e sotme trajnerin e ri të saj Mirel Josa. Ka qenë vetë presidenti Alban Xhaferi ai që para gazetarëve ka shpjeguar edhe arsyet e kësaj lëvizje.

“Kemi ofruar trajnerin Mirel Josa, i cili ka një eksperiencë të jashtëzakonshme, është një nga trajnerët më të suksesshëm të kampionatit shqiptar dhe më gjerë. Këto ndryshime janë bërë për të rritur sadopak entuziazmin e skuadrës në këto ditë që rezultatet nuk kanë qenë sipas pritshmërive.

Ardhja e Josës bëhet në momentin që ekipi po përgatitet për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të ndërtojmë një Vllazni të re dhe sa më kompetitive. Dua t’i uroj suksese profesorit, kënaqësi e veçantë që ndodhet në Shkodër.

Jam optimist, ai ka besimin tim të plotë dhe të gjithë skuadrës. Do e mbështesim të arrijmë objektivat tona. Josa e njeh Vllazninë mirë, madje është më shumë ai te Vllaznia se unë, pasi e ka drejtuar për tre vite.

Mendoj se kemi një zgjidhje optimale. Të finalizojmë këtë sezon me marrjen e Kupës dhe pastaj të kemi një përgatitje sa më të mirë për sezonin e ardhshëm”- është shprehur presidenti.

Ndërkohë tekniku Josa në fjalët e tij të para, ka vlerësuar shumë faktin që rikthehet në Shkodër, në një qytet ku ndjehet mjaft mirë dhe ka premtuar se do të bëjë më të mirën e tij për të arritur objektivat që klubi ka.

Nuk e prisja një ftesë në këto momente, por e kam marrë me shumë dëshirë, pavarësisht se jemi vetëm tre ndeshje larg fundit të sezonit. Më pëlqeu mënyra si u sollën drejtuesit me mua, por në të njëjtën kohë më pëlqen edhe Shkodra si qytet.

Unë personalisht jam rikthyer gjithmonë në Shkodër, edhe si kundërshtar dhe e kam ndjerë ngrohtësinë e publikut shkodran, falë dy periudhave që kam drejtuar Vllazninë.

Nuk ka trajner që vjen për tre ndeshje, por kemi një projekt afatgjatë me drejtuesit dhe shpresoj që gjërat të na shkojnë mirë. Nuk dua të flas për ndeshjet, pasi akoma nuk kam takuar skuadrën. Në ditët e ardhshme do t’i shtjellojmë të gjitha.

Unë Laçin e gjeta të ndërtuar, por kam punuar për atë skuadër. Tani më duket interesant fakti që tani jam këtu dhe do të përballem me ta në finale. Do të bëjmë maksimumin për të arritur gjendjen më të mirë me lojtarët që kemi dhe të sigurojmë Europën”, tha Josa.

Të plotë prononcimet e presidentit Xhaferi dhe trajnerit Josa mund t’i ndiqni duke klikuar në linkun e mëposhtëm:

Shpërndaje